Sot në Teatrin e Komedisë në Shkup filloi festivali teatror “ITF Skupifestival”. Hapja solemne u bë sonte në orën 20, ku u i ftuar ishte edhe ministri i kulturës së RMV-së, Hysni Ismaili, transmeton Portalb.mk

Ismaili tha se ky manifestim plot 13 vite pasuron jetën kulturore në vendin tonë.

“Teatri nuk është vetëm një krijim i pastër artistik por është diçka shumë më tepër, diçka që depërton te ne, diçka që ndonjëherë na bën të qeshim, na e ledhaton shpirtin, por ndonjëherë me enigmat dhe pyetjet që i parashtron edhe na shqetëson. pikërisht kultivimi i këtij festivali është mundësi për te ndjekur aktivitetin e aktorëve nga vendi dhe nga vendet e jashtme,të cilat nëpërmjet teatrit do të na sjellin diçka të re dhe të ndryshme në skenën tonë kulturore”, tha Ismaili.

Edicioni i 13-të i këtij festivali do të mbahet në skenën e teatrit të Komedisë Shkup.

Në konferencën për shtyp që u mbajt për festivalin, drejtori i FNT SkupifestivalitMuzbajdin Qamili foli për programin dhe mënyrën e organizimit,  për përzgjedhjen e shfaqjeve që do defilojnë për këtë vit në Skupifestival,  duke bërë edhe thirrje artdashësve dhe në veçanti publikut teatrorë për ta përcjellë programin e këtij edicioni.

Ai njoftoi se festivali fillon me “Karnevalet e Korçës” në produksion të teatrin kombëtar të Kosovës, vazhdon me “Xhaxha Vanja” e Çehovit me teatrin Vazrazhdanie  nga Sofia, pastaj me “Perëndimin e Vetmuar” të Martin Mekdona nga teatri U Mosta nga qyteti Perm i Rusisë, nga Lublana “Gratë e Ibsenit”, nga Tirana teatri Metropol me  “Natën Ma” nga autorja Marsha Norman, teatri Puls nga Beogradi me shfaqjen “Kiril dhe Klodell” dhe për në fund shfaqja nga teatri i Komedisë “Gra para sulmit nervor”,  e inskenuar sipas filmit me të njëjtin titull të regjisorit të njohur spanjoll Pedro Almodovar.

Për shfaqjen më të mirë në këtë edicion do të kujdeset juria e përbërë nga aktorja e njohur Yllka Mujo, gazetari dhe kritiku teatrorë Emin Azemi dhe aktori nga teatri popullorë maqedonas Borçe Naçev.

FNT Skupifestival këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës, Qyteti i Shkupit, Teatri i Komedisë dhe Telekom Maqedoni, i cili për vitin e tretë me radhë ndihmon FNT Skupifestival Shkup.