Nga 21 tetorit dhe deri më 27 tetor të 2019-s, në Teatrin e Komedisë në Shkup, do të zhvillohet festivali teatror “ITF Shkupifestival”, njofton Portalb.mk.
Siparin e festivalit, më 21 tetor, do ta ngritë Teatri Kombëtar i Kosovës me shfaqjen “Karnavalet e Korçës” në regji të Altin Bashës. Autor i saj është Spiro Çomora, ndërkaq në skenë vjen me lojën e Luan Jahës, Ilire Vincës, Edona Reshitajt, Ernest Malazogut, Ylber Bardhit, Besart Sllamnikut, Adem Karagës, Majlinda Kosumoviçit, Arta Selimit, Ermal Sadikut, Muhamet Zekës, Qëndresa Kajtazit dhe Molika Maxhunit.
“Karnavalet e Korçës” është komedi i e shekullit XIX-të, e cila na tregon natyrën e njerëzve të pasur, si dhe tendencat e tyre për t’i dirigjuar martesat në mes të rinjve nga familjet e pasura.
Në natën e dytë, 22 tetor 2019, në skenë do të ngjitet trupa teatrore e shfaqjes “Xhaxha Vanja” nga Bullgaria.
“ITF Shkupifestival” më 23 tetor 2019 do ta shfaqë “Perëndimin e Vetmuar” nga nga Rusia, ndërkaq më 24 tetor 2019 do të prezantohet “Gratë e Ibsenit” nga Sllovenia.
Më 25 tetor do të prezantohet shfaqja “Kiri dhe Klodeli” nga Serbia, kurse më 26 tetor sërish do të ketë shfaqje në shqip këtë herë nga Shqipëria, Teatri i Metropolit me shfaqjen “Natën ma”. Regjisore është Ema Andrea, ndërkaq në të interpretojnë aktoret, Ilire Vinca dhe Egla Cenos. Muzika vjen e kompozuar nga Bojken Lako.
“Natën ma” gjallon në skenë forcën që qenia njerëzore ka për të ndryshuar dhe për t’u përballur me frikrat brenda vetes dhe botën që e rrethon.
Nata e fundit, është rezervuar për Teatrin ku edhe mbahet festivali, “Teatri i Komedisë – Shkup”, me shfaqjen “Gra para sulmit nervor”.