Drejtori i festivalit Muzbajdin Qamili për gazetën KOHA theksoi se edhe përkundrejt pengesave të vogla të cilat i kanë hasur në financa gjithçka po shkon ashtu siç duhet

Shkup, 13 tetor – Me shfaqjen “Karnevalet e Korçës” të Teatrit Kombëtarë të Kosovës do të fillojë edicioni i 13 i “Skupi Festival”, në hapësirat e Teatrit të Komedisë në Shkup. Festivali do të fillojë me 21 tetor në orën 20:00 dhe zgjat deri më 27 tetor, ku edhe bëhet mbyllja solemne e festivalit.

Krahas shfaqjes “Karnevalet e Korçës” artdashësit mund të ndjekin edhe shfaqe tjera si “Xhaxha Vanja” nga Teatri i Bullgarisë, “Perëndimi i vetmuar” nga Rusia, “Gratë e Ibsenit”nga Sllovenia, “Kire dhe Kllodel” nga Serbia, “Natën ma” nga Shqipëria dhe “Gratë para sulmit nervor” nga Maqedonia.

Drejtori i festivalit Muzbajdin Qamili për gazetën KOHA theksoi se edhe përkundrejt pengesave të vogla të cilat i kanë hasur në financa gjithçka po shkon ashtu siç duhet.

“Në fakt deri më tani gjithçka po shkon sipas planit të cilin e kemi paraparë, është normale të kemi pengesa deri sa të sigurohen financat më pas me një koordinim të mirë të gjitha punët kryhen sipas planit. ” tha Qamili.

Ai shtoi se edhe këtë vit ja vlen të vizitohet ky festivali sepse shfaqet të cilat do të shfaqen do të jenë premierë për publikun tonë kjo është edhe tradita e këtij festivali të sjellin shfaqje të pa luajtura më parë, duke i dhënë mundësi qytetarëve për ti parë nga afër për herë të parë këto shfaqje si dhe aktorët më të mirë të vendeve të cilat janë përzgjedhur për këtë vit.
Ky Festival është nën sponzorimin gjeneral nga Telekomi i Maqedonisë, ndërsa përkrahet edhe nga Ministria e Kulturës si dhe gazeta KOHA dhe Tv Alsat. (koha.mk)