Ky festival do të sjell shfaqe të cilat do të luhen për herë të parë në vendin tonë. Festivali zgjat shtatë ditë dhe ka karakter garues duke përzgjedhur dhe vlerësuar shfaqjen më të mirë nga ana e jurisë profesionale.
Remzije BILALLI
Shkup, 18 tetor – Me shfaqjen “Karnevalet e Korçës” të Teatrit Kombëtarët të Kosovës do të fillojë edicioni i 13 i “Skupi Festival”, në hapësirat e Teatrit të Komedisë. Festivali do të fillojë me 21 tetor në orën 20:00 dhe zgjat deri më 27 tetor, ku edhe bëhet mbyllja solemne e festivalit ku dhe do të zgjidhet fituesi i këtij edicioni.
Drejtori artistik Osman Ahmeti theksoi se ky festival do të filloj nën moton “Login Theatre” me shfaqe nga teatrot nga rajoni por edhe më gjerë.
Krahas shfaqjes “Karnevalet e Korçës” Osmani njoftoi se artdashësit mund të ndjekin edhe shfaqje tjera si “Xhaxha Vanja” nga Teatri i Bullgarisë, “Perëndimi i vetmuar” nga Rusia, “Gratë e Ibsenit”nga Sllovenia, “Kire dhe Kllodel” nga Serbia, “Natën ma” nga Shqipëria dhe “Gratë para sulmit nervor” nga Maqedonia.
Drejtori i festivalit Muzbajdin Qamili tha se për dallim nga vitet tjera sa i përket buxhetit nuk qëndrojnë keq, ndërsa edhe Ministria e Kulturë këtë vit ka rritje të ndarjes së buxhetit për këtë festival. Ministria këtë vit për këtë festival ndau 3.400.000 denarë dhe 180.000 denarë u ndanë nga qyteti i Shkupit.
“Besoj që edhe publiku do të ngel i kënaqur me punën tonë që kemi bërë në përzgjedhjen e këtyre shfaqjeve. Nëpërmjet shfaqjeve shpresoj që përveç risive do të sjellim vlera, komunikim mes njerëzve dhe kështu me radhë, rëndësi ka që do të kemi shfaqe dhe artis profesional”, tha Qamilli.
Qamili theksoi se e veçanta e këtij festivali është rritja e interesimit nga ana e publikut nga viti në vit, duke arritur që ky festival tash më të bëhet një brend teatror ndërkombëtari, një gare që përfshin shumë rryma teatrore. Biletat për këtë festival do të jenë 150 denarë për studentët dhe pensionistët, ndërkaq për kategoritë tjera nga 300 denarë.
Drejtorët shtuan se gjatë vitet të ardhshme janë duke menduar dhe planifikuar që të punojnë në zgjedhjen e zhanrit të teatrove apo autorëve të shfaqjeve, mirëpo këto dhe të gjitha risitë tjera do të varen nga buxheti të cilin ata e posedojnë. Ngjashëm, si vitet e kaluara shfaqjet të cilat do të shfaqen në këtë festival do të jenë risi dhe premierë për vendin tonë, e cila është edhe poenta dhe tradita e këtij festivali.
Përzgjedhja e këtyre shfaqjeve siç theksuan edhe organizatorët e festivalit është bërë në atë mënyrë duke përzgjedhur shfaqet të cilët kanë fituar çmime dhe janë ndër më të shikuarat në shumë shtete.
Ky festival do të mundësohet nga sponsori gjeneral Telekom, gazeta KOHA, Tv Alsat dhe të tjera, ndërsa për dallim nga vitet e kaluara do të mbështetet edhe nga qyteti i Shkupit.
Festivali ka karakter garues duke u përzgjedhur shfaqja më e mirë e cila do të bëhet nga juria profesioniste e përbërë nga aktorja Yllka Mujo, kritiku Emin Azemi si dhe aktori Borçe Naçev.